Horizon.al

Ermal Beqiri: Ka ardhur koha ta shohim Shqipërinë si një mundësi, jo si një pengesë

“Kur ika për studime në Francë në vitin 2000, kisha vetëm një ëndërr: të mos kthehesha më në Shqipëri,” kujton Ermal Beqiri. Por vitet jashtë i mësuan se rruga e vërtetë është të ndjekësh hapat e tua pa harruar rrënjët.
Në vitin 2006 ai u rikthye, edhe pse realiteti ishte i vështirë: nuk kishte treg për robotikën, informatika ishte ende e paqartë dhe mungonin modelet për t’u ndjekur. Aty ku të tjerët shihnin boshllëk, ai pa një terren për të ndërtuar.

Sot, panorama ka ndryshuar rrënjësisht. Shqipëria nuk është më vendi i mundësive të munguara. Ajo po shndërrohet në një qendër inovacioni dhe zhvillimi teknologjik. Janë ngritur ekosisteme të reja, janë krijuar referenca konkrete dhe mbi të gjitha, ekzistojnë mundësi reale për të rinjtë dhe profesionistët që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu.

Nëse dikur largimi ishte i vetmi opsion, sot kthimi është një mundësi reale. Shqipëria nuk është më ajo që kemi njohur dikur, ajo po bëhet avangarde në rajon. Për ata që duan të krijojnë, të zhvillohen dhe të bëjnë ndryshimin, vendi ynë ofron më shumë mundësi se kurrë më parë.

Si kryetar i Albanian Council for Technology and Innovation (ACTI) dhe si themelues i Soft & Solution, Horizon, R&D Solution dhe N Solution, Ermal Beqiri ka vendosur të ndërtojë një bazë të qëndrueshme ku inovacioni dhe teknologjia janë në qendër të zhvillimit.

Sot, janë mbi 20 kompani dhe mbi 150 vende vakante që presin rikthimin e profesionistëve shqiptarë, jo thjesht një rikthim në vendlindje, por një rikthim në të ardhmen. Një mundësi për të ndërtuar, për të inovuar dhe për të kontribuar duke folur shqip, duke krijuar shqip dhe duke lënë gjurmë në vendin tonë.

Nuk ka moment më të mirë për t’u rikthyer, për të investuar dhe për të kontribuar. E ardhmja e teknologjisë në Shqipëri po ndërtohet tani dhe ju mund të jeni pjesë e saj.